Konferenca e Rambujesë është njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Me 6 shkurt të vitit 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë në afërsi të Parisit.
Delegacioni i Kosovës pavarësisht hezitimeve kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit.
Veprimtari dhe politikani Mehmet Hajrizi, i cili ishte ndër figurat kryesore të delegacionit të Kosovës në Rambuje, rrëfen disa momente në një intervistë për Telegrafin, kur delegacioni i Kosovës u kthye nga Rambujeja.
Ai thotë se ishte e pamundur të ktheheshin të gjithë së bashku për shkak të disa arsyeve.
“Në Tiranë aterroi aeroplani që të zbrisnin pjesëtaret e UÇK-së në mënyrë që të mos udhëtonin për në Shkup, pasi nuk ndjeheshin të sigurt. Në Tiranë jemi pritur i gjithë delegacioni nga presidenti Rexhep Meidani dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë, Paskal Milo. Pastaj, ne, pjesa politike e delegacionit kemi vazhduar për Shkup, ku dhe kemi fjetur aty për të udhëtuar pastaj për në Kosovë”, rrëfen Hajrizi.
Ai thotë se ishte moment mjaft i vështirë kthimi nga Shkupi për në Prishtinë, pasi premtimi së do t’i shoqëronte gjatë rrugëtimit ambasadori gjerman nuk u mbajt.
“Moment të vështirë kam ndjerë herën e fundit kur jemi kthyer nga nënshkrimi i marrëveshjes, shkuam në Shkup. Atë kohë, po tërhiqeshin ndërkombëtarët nga Kosova. Ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger që na shoqëronte neve, duhej që të na kthente të sigurt deri në Prishtinë, tha se nuk mund të hynte në Kosovë, më. Iu ishte ndaluar ndërkombëtarëve të hynin në Kosovë. Atë natë në Shkup jam ndjerë keq, pasi nuk isha i sigurt a do të na lënë edhe neve të hyjmë në Kosovë. Kishte shumë pikëpyetje se çfarë do të bëhet”, rrëfen tutje ish-anëtari i delagacionit të Kosovës në Rambuje.
Përfundimisht, më 18 mars 1999, delegacioni shqiptar, amerikan dhe britanik nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, ndërsa ai serb dhe rus refuzuan.
Kjo çoi në fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër forcave Jugosllavisë dhe largimin e tyre nga Kosova.