Ukraina ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Korenë e Veriut pasi kjo e fundit njohu pavarësinë e vetëshpallur të rajoneve Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës.
“Ukraina sot ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me DPRK-në (Republikën Popullore Demokratike të Koresë) në përgjigje të vendimit të saj për të njohur të ashtuquajturën ‘pavarësi’ të territoreve të pushtuara përkohësisht nga Rusia në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës”, tha Oleg Nikolenko, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Donetsk dhe Luhansk, të dyja pjesë e rajonit lindor Donbas të Ukrainës, kanë qenë skenë e një kryengritjeje të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë së Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, njohu “pavarësinë” e rajoneve Donetsk dhe Luhansk pak para fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Ashtu si Krimea, i gjithë Donbasi mbetet i njohur ndërkombëtarisht si territor ukrainas dhe forcat e armatosura të vendit vazhdojnë të luftojnë për të.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), afër 4.900 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
Mbi 15 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë të paktën 8.4 milionë që kanë ikur jashtë vendit./FolDrejt/