Dardan Vuniqi, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës të mërkurën, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nga radhët e fakulteteve juridike.
Në votim morën pjesë 90 deputetë, ku prej tyre kandidati Vuniqi mori 49 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Emine Abdyli – Pozhari nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” arriti t’i marrë 36 vota, kurse pesë vota u shpallën të pavlefshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kujtojmë se KPK kishte mbetur pa tani ish-anëtarin joprokuror Agron Beka, për shkak se i njëjti ishte shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës, më 15 dhjetor 2023. Për shkarkimin e tij, kishin votuar 62 deputetë.
Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.
Ndryshe, më 25 shtator 2023 ishte miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Inicimi erdhi pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”./BetimipërDrejtësi