Milan Radojçiq ka reaguar pas shpalljes së rezultateve nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, të cilat u mbajtën në komunat veriore të Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, citohet të ketë thënë se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje, pa shpjeguar më tej se si do ta bënte këtë.
Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.
Pjesëmarrja në proces ishte e ulët – pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kjo përqindje e ulët e votuesve erdhi si rrjedhojë i presionit të vazhdueshëm pikërisht nga Lista Serbe, e cila u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, që ta braktisnin procesin./FolDrejt/