Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se është përfshirë në një skandal të madh, transmeton Fol Drejt.
Sipas mediave sllovene, fjala është për një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Kryetari i Partisë së Lirisë – Robert Golob. Afera ka të bëjë me shpëlarje parash, ndërsa lakohet edhe emri i ambasadorit Berishaj, si njëri prej atyre që i ka bartur para kesh (rreth 600 mijë euro), nga kompania e tij në Mal të Zi, për tek politikani slloven.
Në Kosovë, ndërkaq, kanë filluar të shtohen zërat për shkarkimin e tij nga kjo detyrë.
Analisti Shkëlzen Gashi nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se për këtë rast, as “dorëheqja nuk mjafton”:
“Politikanët kundërshtarë në slloveni po e fyejnë njëri tjetrin: ‘ti e ke mik ambasadorin e kosovës në Kroaci’, ‘jo, ti e ke mik sepse ti ke fotografi me të’ DORËHEQJA NUK MJAFTON!” – ka shkruar Gashi.
Publicisti dhe gazetari Sali Kabashi, ndërkaq, e ka konfirmuar të kaluarën jo të pastër të Berishajt, duke i forcuar edhe më tej zërat që po kërkojnë veprim të menjëhershëm të institucioneve:
“Martin Serbia ka përvojë të gjatë vjedhjesh e pabesish kundër shqiptarëve. Tridhjetë vjet ka mbajtur dhe ende e mban nën dry (bravë) Shoqatën Migjeni, lokalet e së cilës i kishin marrë nga një biznismen-udbash serb.”
Ndërkaq vetë Golob, i cili është ndër të dyshuarit kryesor në këtë skandal bashkë me ambasadorin Berishaj, i ka hedhur poshtë të gjitha këto akuza./FolDrejt/