Paul Pelosi, bashkëshorti i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, raportohet se i është nënshtruar një operacioni në tru pas një sulmi të dhunshëm herët në mëngjes në rezidencën e çiftit në San Francisko, Kaliforni.
Paul Pelosi, 82 vjeç, u transportua në një spital në San Francisco pasi policia mbërriti në vendngjarje, duke e trajtuar fillimisht për lëndime në fytyrë, ndërsa ishte në gjendje të qëndrueshme, raportoi dega lokale e NBC, KNTV, duke cituar një burim anonim në spital. Është e paqartë se çfarë mund t’i ketë shtyrë mjekët ta çojnë atë në operacion, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zyra e Nancy Pelosit tha se ai pritet të shërohet plotësisht.
Motivi i sulmit që ndodhi herët në mëngjes mbetet i paqartë, por forcat e zbatimit të ligjit thanë se oficerët u dërguan në rezidencë rreth orës 2:27 të mëngjesit për një kontroll të mirëqenies. Shefi i policisë, Bill Scott, tha se kur oficerët mbërritën në vendngjarje, Pelosi dhe i dyshuari mbanin një çekiç.
I dyshuari, të cilin Scott e identifikoi si 42-vjeçarin David Depape, më pas vazhdoi “të tërhiqte çekiçin nga zoti Pelosi dhe e sulmoi dhunshëm me të”.
“Oficerët tanë menjëherë u përballën me të dyshuarin, e çarmatosën atë, e morën në paraburgim, kërkuan ndihmë urgjente dhe i ofruan ndihmë mjekësore”, tha Scott.
Sipas policisë, Depape akuzohet për vrasje në tentativë, sulm me armë vdekjeprurëse, abuzim me të moshuarit, vjedhje dhe disa vepra të tjera penale.
Policia e Kapitolit të SHBA-së, FBI dhe Departamenti i Policisë së San Franciskos kanë nisur një hetim të përbashkët për vjedhjen dhe sulmin, tha zyra e Nancy Pelosit.
Përveç agjentëve specialë nga Zyra e Policisë së Kapitolit në Kaliforni, të cilët mbërritën në vendngjarje shpejt pas sulmit, departamenti po dërgon gjithashtu një ekip të posaçëm hetuesish nga Bregu Lindor për të ndihmuar hetimin.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, telefonoi kryeparlamentaren Pelosi “për të shprehur mbështetjen e tij pas këtij sulmi të tmerrshëm”, tha në një deklaratë zëdhënësja Karine Jean-Pierre.
“Presidenti po lutet për Paul Pelosin dhe për të gjithë familjen e kryeparlamentares Pelosi”, tha ajo në një deklaratë, duke vënë në dukje se Biden është “shumë i lumtur që pritet një shërim i plotë”.
“Presidenti vazhdon të dënojë çdo dhunë dhe kërkon që të respektohet dëshira e familjes për privatësi”, shtoi Jean-Pierre./FolDrejt/