Britania e Madhe filloi sot zinë 10-ditore menjëherë pasi Pallati Buckingham njoftoi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II të enjten.
Shumë aktivitete, përfshirë edhe punën e Parlamentit, janë shtyrë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dhoma e Komunave do të pezullohet deri më 21 shtator, por do të mblidhet të premten në mesditë për një seancë speciale, ku deputetët do të bëjnë homazhe për mbretëreshën e ndjerë deri në orën 22:00 sipas kohës lokale.
Gjithashtu edhe Dhoma e ulët e Parlamentit do të mblidhet të shtunën pasi një numër i vogël deputetësh do të bëjnë betimin ndaj mbretit Charles III ndërsa homazhet do të vazhdojnë deri në orën 22:00.
– Sport
Ndeshjet e Premier Ligës angleze do të anulohen gjatë fundjavës. Gjithashtu janë shtyrë edhe ndeshjet në ligat skoceze, irlandeze dhe atë të Uellsit.
Të gjitha ngjarjet e garave me kuaj, përfshirë një nga ngjarjet kryesore – Royal Ascot, nuk do të zhvillohen për shkak të vdekjes së mbretëreshës.
Ndeshjet e kriketit, ragbit dhe hokejit gjithashtu janë shtyrë për këtë fundjavë.
– Teatro
Teatrot në të gjithë vendin ka të ngjarë të vazhdojnë të performojnë me drita të zbehta dhe një minutë heshtje.
Shoqëria e Teatrit të Londrës dhe ‘UK Theater’ thanë në një deklaratë se shfaqjet e planifikuara teatrale do të vazhdojnë gjatë periudhës zyrtare të zisë.
Të gjitha programet televizive në kanalet kryesore janë ndryshuar gjithashtu për shkak të zisë.
– Grevat
Të gjitha grevat, përfshirë atë industrial të planifikuar të premten të punonjësve të Postës Mbretërore, tani janë anuluar.
Anëtarët e Sindikatës së Punëtorëve të Komunikimit hoqën dorë nga greva 48-orëshe në një mosmarrëveshje mbi pagat dhe kushtet e punës.
“Pas lajmit shumë të trishtuar për vdekjen e Mbretëreshës dhe për respekt për shërbimin e saj ndaj vendit dhe familjes së saj, sindikata ka vendosur të anulojë aksionin e planifikuar të grevës për nesër”, tha sindikata.
Sindikata e transportit TSSA anuloi grevën e saj në shtator dhe do të respektojë periudhën e zisë publike. Anëtarët e Avanti West Coast kishin planifikuar një grevë për tre ditë me radhë nga 15 deri më 17 shtator.
Anëtarët e Sindikatës së Hekurudhave, Detareve dhe Transportit gjithashtu kishin planifikuar grevë midis 15 dhe 17 shtatorit, por përmes një deklarate ata njoftuan se kanë anuluar grevën.
“Aksioni i planifikuar i grevës hekurudhore më 15 dhe 17 shtator është pezulluar. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e saj, miqtë dhe vendin”, thuhet në deklaratën e sindikatës./FolDrejt/