Kina njoftoi se ka sanksionuar zëvendësministren lituane të Transportit, Agne Vaiciukeviciute, për shkak të udhëtimit të saj të fundit në Tajvan.
Pekini tha se vizita e ndërmarrë nga Vaiciukeviciute “shkel parimin e ‘Një Kine’, ndërhyn seriozisht në punët e brendshme të Kinës dhe minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Në përgjigje të aktit skandaloz dhe provokues të Vaiciukeviciute-s, Kina vendos të miratojë sanksione ndaj Vaiciukeviciute-s, të pezullojë të gjitha format e shkëmbimit me Ministrinë e Transportit dhe Komunikimit të Lituanisë dhe të pezullojë shkëmbimin dhe bashkëpunimin me Lituaninë në fushën e transportit rrugor ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Në një postim në Twitter, Vaiciukeviciute tha se ajo zhvilloi 14 takime në pesë ditë në Tajvan, duke u fokusuar në mënyrat për të forcuar bashkëpunimin me “kompanitë detare, të transportit ujor dhe aviacionit” të Tajvanit.
Ajo u takua të enjten me zëvendësministrin e Çështjeve Ekonomike të Tajvanit, Wen-Sheng Tseng për bisedime mbi “bashkëpunimin në sektorin e gjelbër dhe ‘Smart’, si automjetet elektrike, veçanërisht autobusët”, tha Ministria e Jashtme e Tajvanit.
Zëvendësministrja lituane është zyrtarja e dytë e huaj që Pekini e sanksionon brenda një jave për vizitën në Tajvan, të cilin e konsideron si “provincë të shkëputur”.
E mëparshmja ishte e profilit më të lartë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi, e cila shkaktoi reagim të furishëm nga Kina pasi ajo sfidoi paralajmërimet e përsëritura dhe vizitoi ishullin e vetëqeverisur më 2 gusht.
Menjëherë pasi ajo u largua, Pekini nisi stërvitje masive ushtarake rreth Tajvanit, një mesazh i qartë për Taipein dhe botën.
Kina gjithashtu uli dialogun ushtarak me SHBA-në dhe pezulloi bashkëpunimin për çështjet e ndryshimeve klimatike, së bashku me gjashtë “kundërmasa” të tjera./FolDrejt/