Kuvendi zgjedhor i Forumit të Gruas së LDK-së ka zgjedhur për kryetare Jehona Lushaku Sadriu. Kjo e fundit pason Lirie Kajtazin. Forumi u mbajt pasditen e sotme në Prishtinë ndërsa morën pjesë përfaqësues më të lartë të partisë.
Në fillim të këtij kuvendi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij ka jetuar ditët më të mira kur gratë kanë luajtur rolin e tyre meritor krah burrave. Duke iu drejtuar delegateve të Kuvendit të tetë zgjedhor të Forumit të Grave, kreu i kësaj partie falënderoi drejtueset e deritashme të këtij forumi për angazhimin në sukseset e fundit të LDK-së.
Abdixhiku u shpreh se Lidhja Demokratike do të ecë përpara vetëm kur burrat e gratë e partisë do të shpijnë së bashku përpara vizionin rugovist. Sipas tij, partia që drejton është e interesuar që në vendimmarrje të jenë të përfshira edhe gratë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës në organizmin e saj themeltare ka qenë gjithmonë lëvizje progresive e përparimtare. Kjo shtëpi e demokracisë ka parë ditët e saj më të mirë vetëm atëherë kur ka ardhur barabartë me gratë brenda saj. Dhe kjo shtëpi e demokracisë do të ecë mirë e mbarë kur barabartë me gratë, me burrat, të rinjtë e të rejat do të shpijë përpara vizionin rugovist që ka si akt themeltar të saj. Këtë forcë progresive tonën duam ta zhvillojmë brenda LDK. Një LKD që organizimet e veta partiake nuk i ka të mbushura me dhoma burrash me pikëpamje nga ta, për ta e për gra, por me dhoma të mbushura mendjesh të mëdha të grave politike brenda LDK-së. Këtë vit, këtë shoqëri, në këtë pjesë të Evropës, një tubim, një mbledhje, një organizim pa gra është shpërfytyrim i LDK-së, është më së paku LDK”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku deklaroi se Lidhja Demokratike ka potencialin të jap kontributin e saj në sfidat e reja të Kosovës.
“Jam i sigurt se LDK ka potencial të jashtëzakonshëm brenda radhëve të veta siç ka dhe ide të qarta për rrugëtimin tonë përpara. LDK ka vullnet dhe ka kompetencë për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve të rëndësishme që Kosovës i kanë dalë në udhëkryqin e ri integrues euroatlantik. Kosovës i duhet një parti moderne, një parti përparimtare, një parti e guximshme, një parti që të gjitha resurset e veta i trajton barabartë”, vijoi Abdixhiku.
Kryetarja e derisotme e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirie Kajtazi, në fjalën e saj numëroi kontributin e këtij organizimi partiak në ngritjen e çështjeve të barazisë gjinore ndërsa shprehu besimin se edhe udhëheqësia e re do të vazhdojë me te njëjtën rrugë.
“Do të vazhdojmë të trajtojmë çdo ligj, çdo politikë dhe veprim nga perspektiva gjinore siç kemi trajtuar deri tani duke qenë pjesë e hartimit të tyre të pjesëve më vitale. Pakoja e ligjeve të të drejtave të njeriut, puna jonë e drejtpërdrejt në strategjinë për të drejtat pronësore dhe shumë e shumë çështje të tjera të cilat qoftë në rolin e deputetit, qoftë si Forum i Gruas i kemi bërë së bashku. LDK dhe Kosova nga kjo do të kuptojë benefitet e diversitetit gjinor në politikbërie dhe jetën shoqërore në përgjithësi. Gratë çdo ditë e më shumë po marrin besimin e zgjedhësve, ju lutem ta përdorni drejt atë besim”, tha Kajtazi.
Kuvendi i tetë zgjedhor i Forumit të Gruas vijoi punimet pa praninë e mediave. Këtë kuvend zgjedhor e kanë përshëndetur edhe përfaqësues të partive si motra dhe organizatave të tjera politike evropiane.