Ëndrra për pasaportën zvicerane ka dështuar për herë të dytë për shqiptarin e Kosovës Hamdi Halili. Gjatë votimit në Asamblenë e Këshillit të qytetit Bubendorf, kantoni Baselland, kundër Hamdi Halilit kanë votuar 23 persona, pro 21 persona, kurse abstenime ka pasur te 22 të tjerë, shkruan blick.ch, përcjell foldrejt.com.
Herën e parë ai dështoi të marrë pasaportën zvicerane për shkak të argumentit të çuditshëm se ai “veshte tuta dhe atlete” gjithë kohës kur shëtiste në qytet. Por tani “pa arsye” i është refuzuar pasaporta e kuqe.
Megjithatë, kryetari i Asamblesë Roger Frey mendon se refuzimi ka ardhur si rezultat i historisë së familjes Halili. Kjo familje ishte dashur të lëshonte Zvicrën që në vitin 2005. Por në vend që ta bënte këtë, asaj i qe ofruar azili kishtar. Një vit më vonë, autoritetet e lejuan familjen që përfundimisht të qëndronte në Zvicër (me vizë B e pastaj C).
Diçka që vlen të theksohet është se edhe familja e tij, që kohët e fundit ka marrë pasaportën, gruaja dhe dy fëmijët, nuk janë lejuar të votojnë rreth natyralizimit të kryefamiljarit. Kjo ka ndikuar në rezultatin e tanishëm.
Siç mund të shihet tani, duket se Halili e ka humbur betejën me pasaportën zvicerane. Vështirë se mund të ketë votim të tretë./Foldrejt.com