Gazeta franceze L’Equipe raporton se probleme të reja po lindin rreth statusit të kontratës së Kylian Mbappes në PSG.
Vitin e kaluar, PSG e bindi Kylian Mbappen të nënshkruajë një kontratë të re dhe kështu pengoi largimin e tij të lirë te Real Madrid, por është ende një pyetje e hapur nëse ata do të mund ta mbajnë futbollistin kryesor të klubit në radhët e tyre në një afat kohor të gjatë.
Kur Mbappe nënshkroi kontratën e tij të re, ai u sigurua se i gjithë projekti sportiv do të sillej rreth tij, dhe atij iu dha gjithashtu kontrata më e lartë në klub dhe një bonus i madh nënshkrimi. Megjithatë, e ardhmja e Mbappe në Paris mbetet e pasigurt, me L’Equipe që pretendon se kontrata përmban një klauzolë që do t’i lejonte Mbappes të ndërpresë kontratën e tij që në vitin 2024. Kontrata është e vlefshme deri në vitin 2025, por verën e ardhshme Mbappe duhet të ketë mundësinë të zgjedhë nëse do të vazhdojë karrierën në Paris apo do të shkojë në një klub tjetër.
Në Paris do të kishin dashur që Mbappe ta kishte marrë këtë vendim shumë më herët, por sulmuesi nuk dëshiron të nxitojë . Në PSG priten ndryshime të mëdha, pasi Lionel Messi me shumë mundësi do të largohet nga klubi, ndërsa në Paris thuhet se janë gati të shesin edhe Neymarin dhe Marco Verrattin, të cilët ofenduan tifozët me sjelljen e tyre. Vullneti dhe angazhimi i Mbappes varet edhe nga ardhja e lojtarëve të rinj pasi ai dëshiron trofeun e Champions League.
Mbappe ka një tjetër sezon shumë të mirë sportiv, pasi ka shënuar 40 gola në 41 paraqitje në të gjitha garat, transmeton Fol Drejt.