Përshkallëzimi i luftës Rusi-Ukrainë, po reflektohet edhe në Shqipëri. Pas rritjes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe karburanteve, sektori turistik dhe tregu imobiliar në vendin tonë, po ndjejnë pasojat e drejtpërdrejta të kësaj lufte.
Më konkretisht në Vlorë, janë anuluar të gjitha prenotimet për blerje te banesa që ishin bërë nga shtetas polakë dhe rusë, që kanë qenë blerësit më potencialë të pronave të patundshme, përgjatë bregdetit shqiptar.
“Mendoj se në qoftë se potenciali blerës do të bjerë me 30%, deri më tani kemi qenë nga polakët, që aktualisht janë në ndihmë të Ukrainës me veshje dhe me çdo gjë që i duhet”, thotë Renato Banushi, ekspert imobiliar.
Tregu imobiliar shumë shpejt do të përballet me një krizë të dytë, pas asaj të pandemisë. Psikologjia e luftës pritet t’i prekë të gjithë, pasi pasiguria është treguesi kryesor që i nxit qytetarët të mos investojnë për gjëra që nuk i kanë të domosdoshme.
Ndërkohë, me vështirësi përballet edhe sektori turistik. Agjencitë e njohura që punonin më vendet e lindjes, nuk kanë bërë deri tani asnjë rezervim për sezonin veror. Mbi 30% e turistëve të huaj që vizituan Vlorën, vitin e kaluar, ishin rusë, ukrainas, bjellorusë dhe polakë./A2