Ish-kryeministri itlialian Silvio Berlusconi ka deklaruar se do të kandidojë sërish për një vend në Senat, në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
Ai bëri me dije se do të përpiqet të kthehet në poste publike pas nëntë vitesh. Berlusconi nisi një fushatë marketingu përpara njoftimit, duke i thënë radios shtetërore se “masa njerëzish” nga brenda lëvizjes Forza Italia dhe më gjerë i kanë kërkuar atij të kandidojë në zgjedhjet e 25 shtatorit, raporton Theguardian.
Ekranet e mëdha në stacionet e metrosë në të gjithë vendin tregojnë një version më të ri të Berlusconit me mesazhin “Tani më shumë se kurrë – zgjidhni një anë”.
Ai ka udhëhequr katër qeveri që nga hyrja në politikë në vitin 1994, por iu ndalua përkohësisht të mbante poste publike pas një dënimi në vitin 2013 për mashtrim tatimor.
Qeveria e fundit ishte shkarkuar mes një krize të borxheve dhe një skandali të ndejave seksuale të njohura si “bunga bunga” në vilën e tij pranë Milanos.
Ndryshe, 85-vjeçari u përpoq të bëhej president i Italisë në janar, por nuk kandidoi pasi kuptoi se nuk do të siguronte vota të mjaftueshme nga parlamentarët./tch/