Mimoza Kusari – Lila, Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), ka thënë se as Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk i kanë dërguar komentet e tyre në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, siç parashihet me ligj.
“Me lejoni t’i kemi disa fakte të qarta të cilat po shtrembërohen këtu para qytetarëve të Republikës së Kosovës. E para Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur periudhën e konsultimeve që ka qenë e hapur për dy javë. As njëri e as tjetër grup nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare siç e parasheh Ligji komentet në raport me zyret e ZRrE-së”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se propozimi i sotëm mund të hidhet në votim, përmes mocionit procedural.
Shefja e GP të LVV-së, tha se janë mekanizmat e tjerë që mund të ndikojnë në zbutjen e ngritjes së çmimit, siç është subvencioni që ka bërë Qeveria e Kosovës. /FolDrejt/