Pas zhvillimeve në veri të vendit, ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila i ka shkruar letër kryeministrit Albin Kurti.
Këtë e bëri të ditur vetë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, përmes një postimi në facebook, transmeton Fol Drejt.
Zhvillimet e fundit, të lidhura me tërheqjen e deputetëve dhe zyrtarëve policorë serbë nga pozitat e tyre, PDK i ka konsideruar shumë shqetësuese dhe sipas tyre përbëjnë një akt të paprecendentë dhe krijojnë situatë problematike për Republikën e Kosovës.
“Këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë, si dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Për më shumë, këto zhvillime rrezikojnë t’i kthejnë në pikën zero të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin institucional të komunitetit serb në komunat e pjesës veriore të vendit.”, thuhet në letrën e PDK-së.
Mbi këto zhvillime, PDK ka vlerësuar se koordinimi mes qeverisë dhe opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, është i domosdoshëm.
Si rrjedhojë, PDK ka shprehur gatishmërinë për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë./FolDrejt/