Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Këshillin Prokurorial.
Shefi i grupit parlamentar i kësaj partie, Abelard Tahiri, ka thënë se ky ligj, cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit në Republikën e Kosovës.
“Së bashku me përfaqësuesin ligjor të PDK-së, avokatin Faton Fetahu, dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për Këshillin Prokurorial, një projektligj i cili cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë, një projektligj i cili tashmë është shndërruar në ligj, por ende nuk ka hyrë në fuqi, i cili shtrin ndikimin e politikës në Këshillin Prokurorial në Republikën e Kosovës, pra që prej themelimit të institucioneve në Kosovë, asnjë herë s’kemi pasur një tendencë kaq të qartë me kap një sistem prokuroria të tërin siç ka ndodhur me miratimin e fundit të ligjit nga mazhoranca, ligjin për Këshillin Prokurorial”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv.
“Konsiderojmë që ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës së Kosovës. Besojmë që argumentimet që i ka sjell PDK-ja pikërisht në draftin që kemi dorëzuar, është një bazë e mjaftueshëm për ta nxjerr në kundërshtim me Kushtetutën një ligj të tillë. Në mes të dy leximeve nuk janë marr parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ky është një argument shtesë që ky ligj është në kundërshtim me Republikën e Kosovës”, tha ndër të tjera Tahiri./klankosova.tv/