PDK, përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rimendojë qasjen e saj dhe të mos përkeqësojë marrëdhëniet me vendet partnere.
PDK është shprehur thellësisht e zhgënjyer për “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës”, të cilat, sipas saj, kanë rezultuar me “ndëshkime të drejtpërdrejta”, duke e përmendur vendimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mos marrë pjesë në stërvitjet ndërkombëtare “Defender Europe 2023”.
“Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”.
“Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se situata e krijuar kërkon qasje të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës e jo veprime populiste të momentit që mund të sjellin pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit”, thuhet në deklaratë, transmeton Fol Drejt.