Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë ditës vizitoi Komunën e Deçanit, me ç’rast qëndroi për vizitë në kabinetin e kryetarit, Bashkim Ramosaj.
Përmes bashkëbisedimit, Peci u njoh nga afër me potencialin bujqësor të kësaj komune, mundësitë e investimeve dhe nevojat që kanë bujqit e kësaj ane, posaçërisht për mundësitë e zhvillimit të turizmit malor dhe agroturizmit, si dy veprimtari që sjellin efekt zinxhiror të të mirave ekonomike.
Gjithashtu, Peci dhe Ramosaj u dakorduan që të rrisin nivelin e bashkëpunimit mes nivelit qendror dhe atij lokal me qëllim të avancimit të sektorit dhe krijimit të politikave të duhura zhvillimore.
Komuna e Deçanit është njëra nga shtatë Komunat përfituese të Projektit për ndërtimin, zgjerimin apo rehabilitimin e sistemeve të ujitjes mbështetur financiarisht nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përcjell Fol Drejt.