Shoqata e Pedagogëve të Muzikës nuk heq dorë nga qëndrimi që librat e muzikës për arsimin fillor të jenë nga autorë shqiptarë dhe të njëjtat të mos përkthehen nga gjuha maqedonase dhe autorët maqedonas. Adem Imeri, kryetar i Shoqatës thekson se mungesa e ndryshimeve ligjore për tekstet shkollore ka penguar autorët shqiptarë të konkurrojnë me plan-programet e tyre.
Në tekstet e librave të muzikës të përshtatura në shqip nga gjuha maqedonase përveç gabimeve në përkthim, që në shumë raste janë qesharake, ka munguar mes të tjerash terminologjia muzikore, krijimtaria popullore muzikore shqiptare, instrumentistë qoftë ekzekutues ose interpretues, këngë artistike dhe popullore dedikuar moshës së nxënësve nga autorë shqiptarë.