Duke nisur nga viti i ardhshëm, qeveria Rama do të nisë projektin për të diferencuar pagat e pedagogëve. Kjo është bërë e ditur nga kryeministri Edi Rama i cili foli gjatë ceremonisë së 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës.
Rama mes të tjerash u shpreh se me këtë proces synohet që të vlerësohen më shumë financiarisht ata pedagogë që japin më shumë për Universitetin.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se për rritjen e pagave të pedagogëve të dalluar do të kontribuojë edhe qeveria, por edhe vetë Universiteti.
“Një nga elementët që po përgatisim është që të diferencojmë pagat, pra kontributet nga ana e qeverisë nga buxheti, për të vlerësuar cilësinë për ata që japin më shumë. Për t’i dhënë fund uniformalitetit financiar.
Që nga viti i ardhshëm do japim një shembull. Do kemi një kontribut nga ana jonë për rritje të pagave. Kjo rritje nuk do të jetë uniformë. Do i lëmë hapsirë UT dhe Universitetit të Mjekësisë, për të përdorur më shumë nga fondi i tyre nëse do të duan të rrisin pagat”, tha Rama./FolDrejt/