Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së njoftoi se ka nënshkruar Planin e Zbatimit të Strategjisë së Fuqisë Punëtore Kibernetike për të forcuar infrastrukturën kundër sulmeve të internetit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, gjeneral brigade Patrick Ryder, në konferencën për media me kryedrejtorin e burimeve dhe analizës, Mark Gorak bëri një informim lidhur me Strategjinë e Fuqisë Punëtore që përfshin periudhën 2023-2027.
Gorak tha se plani në fjalë “ofron udhërrëfyes për avancimin dhe menaxhimin e unifikuar të një fuqie punëtore kibernetike që përbëhet prej një stafi rreth 225 mijë personash të personelit civil, ushtarak dhe me kontratë të trajnuar në nivel të avancuar”.
“Për të forcuar infrastrukturën e sigurisë kibernetike, nevojitet punësimi i fuqisë punëtore më të talentuar, përmirësimi i kulturës institucionale dhe kryerja e reformës në funksionim”, theksoi Gorak shtuar se “Kërcënimet ndaj kombit tonë nuk flenë, ndjekin çdo lëvizje tonën. Sulmet kibernetike që afrohen janë pothuajse në çdo kënd”.
Zyrtari i Pentagonit tha se fusha e luftës dixhitale është më e rëndësishme se kurrë.
“Pentagoni ka deficit me 24 për qind në stafin e tij të sigurisë kibernetike dhe synon që në 2 vitet e para të plotësojë rreth gjysmën e tij”, potencoi Gorak. Ai tha se nëse është e nevojshme ata mund të japin bonuse të barabarta me 50 për qind të pagës së tyre bazë për stimul.
Kryepërgjegjësi i IT-së në Departamentin e Mbrojtjes, John Sherman sot publikoi në faqen e internetit të departamentit Planin e Zbatimit të Strategjisë së Fuqisë Punëtore Kibernetike. “Të posedosh fuqi punëtore kibernetike shumë të aftë është me rëndësi jetike për mbrojtjen e kombit tonë kundër kërcënimeve kibernetike globale”, tha ai.