“Do të pajtoheshim me përfundimin se Ministria e Mbrojtjes nuk informoi Putinin plotësisht për çdo hap gjatë muajit të kaluar”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
SHBA-ja tha se beson se lidershipi ushtarak i Rusisë kishte keqinformuar presidentin rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ky vlerësim vjen pas një raporti në të cilin theksohen gjetjet e zyrtarëve të inteligjencës amerikane se Putini ishte keqinformuar nga këshilltarët e tij për rezultatet e forcave ruse në luftën në Ukrainë.
“Do të pajtoheshim me përfundimin se Ministria e Mbrojtjes nuk informoi Putinin plotësisht për çdo hap gjatë muajit të kaluar”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një konferencë për media.
“Është ushtria e tij. Është lufta e tij. Ai e zgjodhi atë. Dhe më pas fakti që ai mund të mos ketë informacion për të gjithë kontekstin, se ai mund të mos e kuptojë plotësisht shkallën në të cilën forcat e tij po dështojnë në Ukrainë. Është pak e turpshme”, tha Kirby.
Shtëpia e Bardhë tha se kishte informacione se ushtria ruse ka mashtruar Putinin, gjë e cila rezultoi në tensione midis liderit rus dhe udhëheqjes së tij ushtarake.
“Ne besojmë se Putini po keqinformohet nga këshilltarët e tij për atë se sa keq po vepron ushtria ruse dhe sa keq është goditur ekonomia ruse nga sanksionet sepse këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’i thonë të vërtetën”, tha drejtoresha e komunikimit e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield.
“Kështu po bëhet gjithnjë e më e qartë se lufta e Putinit ishte një gabim strategjik duke dobësuar Rusinë dhe duke izoluar në skenën botërore në planin afatgjatë”, tha ajo.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila filloi me sulmin rus më 24 shkurt, nxiti reagime të ashpra ndërkombëtare dhe çoi në sanksione financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Të paktën 1.189 civilë u vranë në Ukrainë ndërsa 1.901 u plagosën, sipas OKB-së, duke deklaruar se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.
Më shumë se 4 milionë ukrainas kanë ikur në disa vende evropiane dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, njofton Agjencia e OKB-së për Refugjatët./FolDrejt/