Pep Guardiola ka pranuar se nuk është i sigurt se pse Erling Haaland nuk e ekzekutoi penalltinë e Manchester Cityt në fitoren ndaj Aston Villas.
City arriti një fitore vendimtare ndaj Villas të dielën me golat e pjesës së parë të Rodrit, Ilkay Gundoganit dhe një penalltie nga Riyad Mahrez.
Megjithatë, pati shumë konfuzion kur Mahrez, dhe jo Haaland, u ngrit për të ekzekutuar penalltinë e lartpërmendur. Duke folur për shtypin pas fitores, menaxheri i Cityt Guardiola i bëri jehonë këtij konfuzioni.
“Normalisht, Erling është gjuajtësi i parë”, sqaroi Guardiola. “Unë e doja këtë, por Riyadi gjithmonë përpiqet ta bëjë, Rodri ishte i përfshirë. Nuk e di se çfarë ndodhi”, tha ai.
“Nesër do të flasim me ta. Më pëlqen kur njerëzit duan të ekzekutojnë penallti, por gjithmonë ka një që është kryesori dhe ai është Erling.”
Sulmuesi nuk arriti të shënonte për një ndeshje të dytë radhazi në Premier League të dielën dhe, për t’i bërë gjërat edhe më keq, ai u detyrua të largohej në pjesën e parë për shkak të një dëmtimi të dyshuar.
Guardiola diskutoi dëmtimin edhe në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes, duke thënë: “Nëse ai nuk është gati, ne do të luajmë me dikë tjetër. Shpresojmë që ai të jetë gati si të gjithë, por do të shohim.”, tha spanjolli.
“Në pjesën e parë fola me mjekët. Ata thanë se ndoshta me rezultatin siç është ne nuk rrezikojmë dhe unë rashë dakord”, deklaroi Guardiola.
“Mendoj se ai nuk është i lënduar, por të hënën do të shohim. Shpresojmë se ai mund të jetë gati për të mërkurën. Por nëse ai nuk është gati ose ka ndonjë rrezik, ai nuk do të luajë.”, përfundoi trajneri spanjoll Pep Guardiola, transmeton Fol Drejt.