Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren 2-0 ndaj Newcastle në kuadër të xhiros së 26-të të Premierligës.
Shënues ishin Foden në minutën e 15-të dhe Bernardo Silva në minutën e 67-të.
“Ishte një lojë vërtet e vështirë. Ne e dinim se do të ishin një kërcënim duke pasur parasysh cilësinë që kanë. Ata do të jenë një kërcënim edhe për pesë vitet e ardhshme sepse kanë shumë anë të mira – ata e kontrollojnë topin mirë në tranzicion dhe janë të shkëlqyer në ndërprerje”, tha Guardiola dhe shtoi:
“Një ndeshje shumë e mirë, ne u mbrojtëm siç duhet. Ishte një lojë e barabartë, të dyja skuadrat ishin të pabesueshme. Ata patën momente të shkëlqyera, ashtu si ne dhe në fund, dy veprimet tona të mira rezultuan me dy gola. Megjithatë, kjo ishte lloji i lojës ku duhet të vuash, por pavarësisht kësaj, ne nuk e humbëm qetësinë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Portieri i Cityt, Ederson, mbajti portën pa gola të shënuara për herë të 100-të në Premier League.
“Ederson është një nga arsyet pse ne kemi fituar shumë trofe – ai shpesh bëri pritje të shkëlqyera dhe e mbajti rrjetën të paprekur. Ai është i jashtëzakonshëm në shumë aspekte të lojës. Trofetë nuk fitohen vetëm me gola, por edhe duhen mbrojtur”.
Trajneri spanjoll ka gjithashtu një plan të qartë afatshkurtër.
“Dy ditë liri, të gjithë në shtëpitë e tyre, nuk do t’i shoh, as ata nuk duan. Pas kësaj do të kthehemi”, përfundon Guardiola.
City do të luajë ndeshjen e radhës në Premier League më 11 mars kur do të vizitojë Crystal Palace. /FolDrejt/