Ushtria meksikane arrestoi sot bosin famëkeq të drogës, Rafael Caro Quintero, pasi ai kaloi pesë vjet në listën e më të kërkuarve të FBI-së, për torturimin dhe vrasjen e një agjenti amerikan kundër narkotikëve më 1985.
Caro Quintero kaloi 28 vjet burg për vrasjen e Enrique “Kiki” Camarena dhe krime të tjera, por u lirua në vitin 2013. Ai u kthye shpejt në trafikun e drogës dhe u emërua një nga 10 të arratisurit më të kërkuar të FBI-së me një shpërblim prej 20 milion dollarësh për këdo që sjellë informacione rreth vendndodhjes së tij, shuma më e lartë në listë.
Caro Quintero bashkëthemeloi kartelin Guadalajara, një nga organizatat më të fuqishme të trafikimit të drogës në Amerikën Latine gjatë viteve 1980, e cila gjithashtu mbetet aktive sot.
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, tha se ai ishte “thellësisht mirënjohës” ndaj zbatimit të ligjit meksikan për arrestimin e Caro Quintero, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.
Vetëm disa orë pas arrestimit të Caro Quintero, një helikopter Blackhawk i marinës meksikane me 15 persona u rrëzua në shtetin Sinaloa, vendlindjen e bosit të drogës. Nga aksidenti humbën jetën 14 persona në bord, të cilët po mbështetnin operacionin për gjetjen dhe kapjen e Caro Quintero.