Sot Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, raporton Fol Drejt.
Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë, ka thënë se në fokus të bisedës ka qenë regjistrimi i popullësisë.
“Ky ishte takimi i parë në këtë format ku ishin të ftuar të gjithë pa përjashtim më të cilët diskutuam rreth procesit të regjistrimit të popullsisë dhe problemeve më të cilat janë duke u ballafaquar shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi”.
Sipas tij takimi ishte paraparë të ndodhte kohe më parë por “për shkak të projektit të lobimit që kishim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte shtyrë për sot. Ishte një shtytje e madhe për t’i ftuar shqiptarët e Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në mënyrë që të jetë numri i saktë dhe i vërtetë i shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës”.
Procesi i regjistrimit, sipas tij, është shumë i rëndësishëm, prandaj u ka bërë thirrje bashkëqytetarëve që t’i përgjigjen ftesës./FolDrejt/