Është hapur në Prishtinë për herë të parë ekspozita jostatike “Muzeu i Fëmijërisë së Luftës” (War Childhood Museum) me bazë në Sarajevë që përfshin tregime personale, objekte dhe prova video dhe audio të fëmijëve nga lufta.
Në ekspozitën e cila u hap në Galerinë Kombëtare të Kosovës mund të ndiqen, lexohen dhe dëgjohen rrëfimet e rreth 40 fëmijëve, fëmijëria e të cilëve u shënua nga lufta në vende të ndryshme, përfshirë përvojat personale dhe gjësendet e fëmijëve kosovarë nga lufta e viteve 1998-1999, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Drejtoresha e Muzeut të Fëmijërisë, Amina Krvavac tha në fjalën e saj hapëse se ky muze është i vetmi muze në botë i dedikuar ekskluzivisht ndikimit të luftës tek fëmijët, i cili filloi me fëmijët nga Sarajeva dhe më pas u zhvendos në vende të tjera.
Krvavac tha se pjesë e kësaj ekspozite dhe rrëfimet e luftës së fëmijëve të Kosovës janë falë bashkëpunimit me profesorin nga Prishtina, Atdhe Hetemi, i cili ka punuar në dokumentimin e përvojës së tyre.
“Përveç shumë historive të fëmijëve nga Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, këtu janë edhe historitë e fëmijëve nga Kroacia, Serbia, histori të fëmijëve që aktualisht jetojnë në zonat e konfliktit si Palestina, Afganistani dhe Ukraina, që fatkeqësisht është konflikti i fundit që kemi. Ka shumë konflikte që janë të rëndësishme për t’u dokumentuar për të kuptuar se çfarë efekti kanë ato te fëmijët dhe se si ne si individë dhe shoqëri mund të kontribuojmë në ruajtjen e paqes”, tha Krvavac.
Ajo theksoi se ekspozita përmban gjësende personale, histori të treguara nga këndvështrimi i fëmijëve mbi përvojat e tyre të luftës, teksa shtoi se shpreson që ky muze të kontribuojë në drejtësinë tranzicionale dhe shërimin e plagëve të shoqërisë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajurallah Çeku tha se muzealizimi i vuajtjeve të fëmijëve në situata të luftës është mundësi për Kosovën për të përfituar nga kjo përvojë.
Ai tha se në Kosovë ka organizata dhe artistë që kanë punuar gjatë këtyre viteve për dokumentimin dhe ekspozimin e dhimbjeve të fëmijëve, por gjatë muajve në vijim bashkë me WCM dhe institucionet përgjegjëse do të bashkëpunojnë që shumë shpejtë edhe në Kosovë të bëhet një muze kushtuar fëmijëve në rrethana të luftës.
“Jemi dakorduar që edhe Kosova ta ketë institucionin e vet ku muzealizohet fëmijëria e luftës. Storjet tona janë ende të freskëta. Vuajtjet tona janë të dokumentuara deri diku por kemi nevojë edhe më shumë për dokumentim”, tha Çeku.
Ekspozita e cila po realizohet në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, Forumin ZFD Kosovë dhe Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill në orarin e punës së Galerisë ndërsa hyrja në të është falas për publikun.
Ekspozita e parë e përhershme e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës u hap në Sarajevë në vitin 2017. Tani mbledhja e vazhdueshme e zgjerimit të muzeut përfshin mbi 5 mijë gjëra personale dhe tregime dhe qindra orë dëshmi audio dhe video në lidhje me 15 luftëra të ndryshme.
Në vitin 2018 Muzeu fitoi Çmimin e Këshillit të Evropës, në ceremoninë Muzetë Evropiane të Vitit (EMYA). Vitin pasues, Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, mori vlerësim special në përzgjedhjen për Muzeu më i mirë sllav./FolDrejt/