Autoritetet belge dhe franceze kanë njoftuar se do të dyfishojnë kapacitetin e shkëmbimit të energjisë elektrike në linjat e tyre të transmetimit kufitar, raporton N1, transmeton Fol Drejt.
Është një projekt gati dhjetë vjet i vjetër dhe do të ndihmojë Francën këtë dimër nëse atij vendi i mbaron energjia elektrike.
Ky rrjet kufitar, i krijuar në vitin 1974, është 43 kilometra i gjatë dhe lidh pjesën jugore të Belgjikës dhe atë veriore të Francës.
Këto linja të transmetimit do të jenë në gjendje të furnizojnë me energji elektrike rreth gjashtë milionë familje në të dy anët e kufirit gjatë dimrit, njoftuan kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike të Belgjikës dhe Francës.
Autoritetet franceze njoftuan më parë se për shkak të mungesës së burimeve bërthamore, vendi do të duhet të importojë energji elektrike nga fqinjët e tij.
Këtë dimër, për herë të parë pas 42 vitesh, Franca do të jetë importuese e energjisë elektrike nga fqinjët e saj nga Belgjika, Gjermania, Spanja dhe Britania e Madhe, për shkak të nivelit më të ulët të prodhimit nga termocentralet bërthamore.
Shumë në Francë kanë shprehur frikën e mungesës së mundshme të energjisë, veçanërisht në janar./FolDrejt/