Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Prishtina po dëshiron që ta sulmojë veriun e t’i likuidojë serbët.
Kurti tha se kur ata (krerët shtetërorë serbë) flasin për dhunë e vrasje, ata flasin për vete, imagjinatën, mendimet e planet e tyre, e jo për Kosovën, pasi sipas tij, për Kosovën flet vetëm Kosova.
I pari i Qeverisë së Kosovës, veten e cilësoi si kryeminsiter të shpresës e progresit, teksa për presidentin serb tha se ai është president i frikës e i kërcënimit.
“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore dhe do të ishte e dita e parë e punës së muajit të tetë të vitit, mirëpo më 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur, planifikuar e financuar strukturat ilegale që u bënë banda kriminale nëpër rrugët në veri të Kosovës”.
“Pra, kur ata flasin, nuk janë duke folur për neve por janë për vete. Ne jemi për paqe e stabilitet afatgjatë dhe na duhet që me shtetin tonë jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin e integritetin territorial, por edhe demokracinë, sundimin e ligjit dhe kurrë nuk bëjnë ta harrojmë, progresin”, është shperhur Kurti.
Ai, tutje tha se ka autokratë, duke aluduar në Vuçiqin, që janë të shqetësuar me shembullin e Kosovës, ku sipas tij, demokracia cilësore e zhvillimi ekonomik shkojnë bashkë./KlanKosova/