Klubi turk i kategorisë së parë të futbollit Hatayspor është tërhequr nga Superliga turke dhe nuk do të luajë më ndeshje këtë sezon, pasi një tërmet shkatërrues goditi Turqinë juglindore dhe veriun e Sirisë.
Numri i të vdekurve nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë ka kaluar 21 mijë dhe ndër qytetet më të goditura është Antakia, prej nga vjen Hatayspor.
Anësori ganez i Hataysporit, Christian Atsu mbetet i zhdukur pavarësisht se nënkryetari i klubit tha në fillim të kësaj jave se ai ishte nxjerrë nga rrënojat me lëndime dhe ishte dërguar në spital. Agjencia turke Anadolu raportoi se drejtori sportiv i klubit Taner Savut është ende i zhdukur ose nën rrënoja.
Vazhdimi i ligës në fillim të marsit
“Hatayspor dërgoi një letër. Ata na informuan se nuk do të luajnë ndeshjet e këtij sezoni,” tha presidenti i Unionit të Klubeve Turke Ali Koc në një konferencë shtypi së bashku me presidentin e Federatës Turke të Futbollit (TFF) Mehmet Buyukeksi.
“Nëse edhe Gaziantep dëshiron të tërhiqet nga liga, ne planifikojmë të vazhdojmë me 17 ekipe, me kusht që të drejtat e këtyre dy klubeve të mbeten të paprekura”, duke shtuar se Gaziantep ende nuk ka marrë një vendim.
Hatayspor aktualisht është në vendin e 14-të në tabelën e ligës turke, ndërsa Gaziantep në pozitën e 10-të. Rinisja e ligës është shtyrë më tej dhe pritet të rifillojë më 3 mars, transmeton Fol Drejt.