Qeveria italiane ka nisur procedurat e shkeljes kundër Sllovenisë në një përpjekje për të mbrojtur origjinalitetin e uthullës së saj të famshme, të mbrojtur gjeografikisht.
Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan vitin e kaluar kur Sllovenia njoftoi Komisionin Evropian për planet e saj për të “standardizuar” prodhimin e uthulles, në thelb duke kërkuar të tregtojë çdo uthull vere të përzier me lëng frutash.
Termi aceto balsamico di Modena (uthull balsamike e Modenës) është përdorur që nga viti 2009 dhe mund të përdoret vetëm nga prodhuesit në Modena dhe rajonin Emilia-Romagna.
Italia e konsideron lëvizjen e Sllovenisë një kërcënim për traditën e ekselencës së saj të uthullës balsamike Modena dhe për një treg me vlerë rreth 1 miliard euro.
Beteja e uthullës u bë prioritet për qeverinë e kryesuar nga kryeministri Mario Draghi, e cila i ka dhënë dritën jeshile avokatit të shtetit për nisjen e procedimeve. Hapi i parë kërkon një konsultim me komisionin përpara se, nëse është e nevojshme, ta çojë çështjen në gjykatën e drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJEDU).
“Pas muajsh pritjeje dhe shqetësimi, ne më në fund shohim një dritë”, tha Mariangela Grosoli, presidentja e konsorciumit për mbrojtjen e uthullës balsamike të Modenës.
Ministri i Bujqësisë i Italisë, Stefano Patuanelli tha vitin e kaluar se mbrojtja e verës dhe ushqimit italian ishte një prioritet dhe qeveria do të bënte gjithçka për të mbrojtur prodhimin e vendit nga “sulmet e paligjshme”.
Megjithatë, mbetet të shihet se sa e suksesshme do të jetë lëvizja ndaj Sllovenisë. Në vitin 2019, prodhuesit italianë të uthullës humbën një sfidë ligjore për të parandaluar një kompani gjermane që të përdorte emrat aceto ose aceto balsamico për të tregtuar produktet e saj të uthullës. Biznesi gjerman i kishte etiketuar produktet e tij me termat balsamico dhe Deutscher balsamico./21Media