Presidenti Joe Biden miratoi dislokimin e afro 3,000 trupave amerikane në Evropën Lindore gjatë ditëve të ardhshme. Pentagoni tha të mërkurën se ky veprim është një sinjal i gatishmërisë së Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e NATO-s.
Me dislokimin e këtyre trupave si edhe vendosjen e 8,500 trupave në gatishmëri të lartë muajin e kaluar për t’u dërguar në Evropë, nëse është e nevojshme, Shtetet e Bashkuara synojnë të qetësojnë aleatët e NATO-s përballë grumbullimit të trupave ruse pranë Ukrainës.
Sipas një burimi që është në dijeni të detajeve, 1700 trupa do të vendosen në Poloni dhe 300 të tjerë në Gjermani. Rreth 1,000 trupa që ndodhen në Gjermani do të dërgohen në Rumani. Pentagoni tha se nuk përjashtonte dërgimin e trupave të tjera, përveç atyre të njoftuara të mërkurën.