Japonia ka dërguar dy avionë luftarakë F-15 në Filipine për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kjo është gjithashtu hera e parë që ndonjë avion luftarak japonez ka vizituar ndonjë vend anëtar të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore, njoftoi Forca e Vetëmbrojtjes Ajrore e Japonisë (ASDF), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne do të promovojmë mirëkuptimin e ndërsjellë nga shkëmbimet njësi me njësi me PAF (Forcat Ajrore të Filipineve) dhe do të zhvillojmë bashkëpunimin dhe shkëmbimin në fushën e mbrojtjes”, tha ASDF.
Avionët luftarakë u ulën në Bazën Ajrore Clark. Një avion që mbante karburant dhe një tjetër aeroplan i transportit gjithashtu shoqëruan avionët F-15 për në Filipine.
Gjatë një fluturimi prej rreth katër orësh, avionët japonezë u mbushën me karburant në ajër.
Japonia po transferon gjithashtu sistemet e radarëve të mbikëqyrjes ajrore në Filipine.
“Gjatë luftës, kur Japonia perandorake pushtoi Filipinet për më shumë se tre vjet, ajo e përdori këtë aeroport pjesërisht si një bazë nisjeje për sulmet vetëvrasëse kamikaze kundër forcave amerikane”, njoftoi Kyodo News.
Në periudhën kur po ndryshon situata gjeopolitike në Azi-Paqësor, vendet e rajonit kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta, ndërsa SHBA përshpejton politikën e saj të përmbajtjes së Kinës, e cila ka shënuar një zgjerim të ndikimit të saj ekonomik dhe ushtarak në rajonin më të gjerë.
Japonia është pjesë e grupit Quad të udhëhequr nga Washingtoni, një grup që paraqet një aleancë sigurie ku bën pjesë edhe Australia dhe India. Ndërkohë, Filipinet janë aleati më i vjetër i SHBA-së në rajon.
Në njoftimin e autoriteteve japoneze thuhet se rreth 60 anëtarë të ASDF-së ndodhen në Filipine nga 27 nëntori deri më 11 dhjetor “për të promovuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e mbrojtjes midis forcave të dy vendeve”.
“Ardhja e luftëtarëve shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e shkëmbimeve të mbrojtjes midis Japonisë dhe Filipineve”, tha nënkoloneli Shotaro Arisawa nga ASDF, duke folur ghatë një ceremonie të mbajtur në bazën në Mabalacat, në veri të Manilës.
“PAF do të vazhdojë të punojë krah për krah me ASDF-në për të çuar përpara miqësinë dhe partneritetin tonë dhe për të konsoliduar forcat tona ajrore, për të mbështetur në mënyrë efektive dhe efikase paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, tha koloneli Leo Fontanilla nga PAF.
Gjenerali Connor Anthony Canlas, një komandant nga radhët e PAF-it, muajin e kaluar tha se japonezët “tani janë aleatët tanë, që besojnë në sundimin e ligjit”./FolDrejt/