Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se për vitin 2023, buxheti që do t’u ndahet komunave është 15% më i lartë se sa ai i vitit 2022.
Murati këtë e cilësoi si rritjen më të madhe vjetore.
“Për vitin 2023, buxheti që do t’u ndahet komunave është për 15% më i lartë sesa buxheti i vitit 2022. Kjo është rritja më e madhe vjetore që ka ndodhur ndonjëherë, dhe vjen falë performancës së mirë në rritjen e të hyrave në buxhetin e shtetit. Pra do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave, ashtu që ato të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët”, shkroi Murati.
Murati tha se pretendimet se ka bllokim të buxheteve komunale, nuk janë të vërteta.
“Pretendimet se ka bllokim të buxheteve komunale, janë shpifje dhe aspak të vërteta. Secila komunë, për vitin aktual ka buxhetin e miratuar dhe mund të ekzekutojë pagesat pa asnjë problem. Ndërsa qarkorja buxhetore për vitin 2023 ndahet me kohë, dhe çdoherë brenda afateve që parashihen me legjislacion. Vetëm dikush që nuk merr vesh fare në procesin buxhetor, mund të pretendojë se qarkoret për vitin 2023 po bllokojnë investimet në vitin 2022”, shtoi Murati./21Media