Nëse Toka do të ishte një shtet i vetëm, Konstandinopoli do të ishte kryeqyteti i saj – Napoleoni
MË 6 PRILL TË VITIT 1453 sulltani i ri i osmanëve, erdhi në muret e këtij qyteti i cili atëherë njihej si Konstandinopoja. Emri i tij ishte Mehmed dhe kishte sjellur me veti një ushtri prej 200 mijë burra, si dhe topin më të madh prej bronzi në botë. Mehmedi kishte pasur ëndërr që të zotërojë këtë qytet qysh nga fëmijëria e tij. Marrja e këtij qyteti do ta kompletonte perandorinë e tij dhe do t’i lejonte që të vishte mantelin e Cezarit të Romës.
Ushtarët e Mehmedit kishin marshuar për disa ditë me rradhë poshtë rrugës së vjetër romake nga kryeqyteti i tyre në Edirne. Ata u ndalën diku çerek milje larg nga muret e frikshme të Konstandinopojës, ku vendosën mijëra tenda dhe artilerinë e tyre. Një grup punëtorësh ndërtuan një mur rrethojë. Një vëzhgues osman u çudit nga masa e përhapur e ushtarëve që rridhnin si një “lumë çeliku” dhe ishin aq shumë në numër “aq sa yjet”. Tenda luksoze ngjyrë e kuqe dhe e florinjtë e Mehmedit, u vendos në pjesën e përparme dhe në qendër të linjës osmane, kështu që ai mund të vëzhgonte qitjet e topit masiv që u soll duke u tërhequr nga Edirna.
Atë natë turqit ndezën qindra zjarre. Lartë në muret e kështjellës, mbrojtësit shikonin të çuditur dhe të terrorizuar në vijën e gjatë të kampeve, e shtrirë aq e gjatë saqë përfshinte diku tre milje në muret e tokës.
KONSTANDINOPOLI ISHTE NJË QYTET I VJETËR dhe i rraskapitur. Ai kishte shërbyer si kryeqyteti i perandorisë romake lindore për njëmbëdhjetëqind vjet, por në vitin 1453 ajo vetëm se mbante emrin perandori, pasiqë kishte humbur rolin dhe rëndësinë në atë pjesë të botës. Romakët e Konstandinopojës ishin si aristokratët e shfrenuar që jetonin në një pronë të rrënuar, të rrethuar nga toka që nuk u përkiste më atyre. Sidoqoftë, diçka nga lavdia e emrit romak akoma qëndronte në këtë qytet të trishtuar dhe të rrënuar, të themeluar njëmbëdhjetë shekuj më parë nga Konstandini i Madh. U pa si vend i fuqisë botërore, Romës së dytë. Luftëtarët myslimanë në portat e kështjellës u nxitën nga fjalët e një profecie, të shprehur nga vetë Muhamedi: Sigurisht, Konstandinopoja do të pushtohet; sa i bekuar komandanti që do ta pushtojë dhe sa e bekuar ushtria e tij.
Vazhdon…
Përkthyer dhe përpunuar nga libri “Ghost Empire – A Journey to the Legendary Constantinople” i autorit Richard Fidler
Përktheu dhe përshtati: Fisnik N. Muça