Nëse Toka do të ishte një shtet i vetëm, Kostandinopoja (Stambolli) do të ishte kryeqyteti i saj – Napoleoni
Shumë pak dihet për princin e ri që ishte ulur në fronin osman të Adrianopojës. I lindur në vitin 1433, Mehmeti ishte djali i tretë i Muratit dhe kishte kaluar një fëmijëri të vështirë. E ëma e tij kishte qenë skllave e haremit dhe ka shumë të ngjarë të ketë qenë e krishterë. Vëllai i madh Ahmeti kishte vdekur në vitin 1439 dhe pas tij vëllai, Aliu, që e mbytën në shtrat në vitin 1444. Mehmeti, si trashëgimtar i fronit që ishte, qe thirrur me urgjencë në Adrianopojë për t’u edukuar. Kishte patur mësues mjeshtërit më të mëdhenj të kohës dhe nën udhëheqjen e tyre hodhi themelet e kulturës që do ta bënte aq të famshëm. Thuhet se kur u ngjit në fron fliste rrjedhshëm turqisht, arabisht, latinisht, greqisht, persisht dhe hebraisht.
Në janar të vitit 1453 Mehmeti thirri në Adrianopojë ministrat e tij. Tha se perandoria e tij asnjëherë nuk do të ishte e sigurtë përderisa Konstandinopoja do të mbetej e krishterë. Kishte ardhur çasti për ta pushtuar. Gjithë përpjekjet e mëparshme kishin dështuar, sepse nuk kishin arritur të realizonin bllokimin nga deti. Por tani, për herë të parë, osmanët kishin epërsi në det. Konstandinopoja nuk mund të pushtohej me rrethim, por mund të merret duke e kërcënuar me uri. Edhe këshilltarët më të afërt të sulltanit shqyen sytë kur panë flotën e madhe që u mblodh dy muaj më vonë në Galipoli. Por, habia e tyre nuk ishte asgjë para tmerrit të bizantinëve kur panë anijet osmane që mbinë në detin Marmara dhe hodhën spirancat poshtë murreve.

Trupat tokësore osmane po mblidheshin në Trakë. Mehmeti ishte marrë personalisht me këtë gjatë dimrit. Kishte mobilizuar të gjithë regjimentet dhe kishte organizuar një ushtri që numëronte diku 100 mijë ushtarë. Veç kësaj sulltani zotëronte edhe një armë me të cilën krenohej veçanërisht. Një vit më parë kishte ardhur në oborrin e tij një inxhinier gjerman, që i kishte propozuar të ndërtonte një top bronxi kaq të fuqishëm sa të hidhte përdhe edhe muret e Babilonisë. Në 5 prill Mehmeti ngriti çadrat përpara mureve të Konstandinopojës dhe siç e thotë ligji i islamit, i dërgoi perandorit një mesazh ku i premtonte se do t’ua falte jetën të gjithë shtetasve të tij, nëse do të dorëzoheshin menjëherë. Në të kundërt, lufta do të ishte e pamëshirshme. Nuk mori asnjë përgjigje. Orët e para të së premtes 6 prill topi hapi zjarr…

Luftimet zgjatën 53 ditë dhe më 29 maj të vitit 1453 ambicja e Sulltan Mehmetit ishte bërë realitet. Konstandinopoja ishte e tij dhe ai ishte vetëm njëzet e një vjeç. Lajmi i pushtimit i kalli tmerrin mbarë botës së krishterë. Perandoria romake e Orientit u themelua nga Konstandini i Madh, më 11 maj 330 dhe ra në 29 maj 1453. Shoqëria bizantine ishte një shoqëri shumë fetare ku analfabetizmi, të paktën në shtresat e mesme dhe të larta, as që ekzistonte fare dhe ku shumë perandorë u bënë të shquar për erudicionin e tyre. Ishte e vetmja që ruajti shkëlqimin e lashtë greko-romak gjatë shekujve të errët, ku drita e kulturës në Perëndim thuajse qe fikur.
Shkëputur nga libri “Bizanti: shkëlqimi dhe rënia e një perandorie 330-1453” i autorit John Julius Norwich.
Përshtati dhe përpunoi: Fisnik N. Muça