Përballja Kosovë-Rumani, nuk kishte si të shpërtonte nga fokusi i mediave botërore, ku loja u pezullua pas sjelljes diskriminuese nga tifozët, të cilët mbanin në duar parullën “Kosova është Serbi”.
Loja u pezullua për 50 minuta, gjatë të cilëve nuk ishte e sigurtë nëse do të vazhdonte apo jo, përcjell Fol Drejt.
BBC sport ishte një nga mediat ndërkombëtare, e cila reagoi rreth kësaj çështje, duke publikuar edhe pamje të ndryshme, ku shihen forca të policisë speciale në fushën e futbollit.
“Ndeshja u ndërpre në minutën e 18-të pasi disa tifozë të Rumanisë brohoritën “Serbia Serbia” dhe mbanin një pankartë ku shkruhej “Kosova është Serbi”.
Gjyqtari francez Willy Delajod është kundërpërgjigjur duke i larguar lojtarët nga fusha.
UEFA tha se “ndeshja rifilloi pasi loja u pezullua për shkak të sjelljes diskriminuese nga disa tifozë”.
Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008, pas vitesh të marrëdhënieve të tensionuara mes banorëve të saj serbë dhe kryesisht shqiptarë.
Shumë serbë e konsiderojnë atë vendlindjen e kombit të tyre. Por nga 1.8 milionë banorët që jetojnë në Kosovë, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% serbë. Pjesa tjetër janë boshnjakë, goranë, turq dhe romë.
Pavarësia e Kosovës njihet nga 100 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, por Rumania është në mesin e një numri të vogël të vendeve të BE-së që nuk e njohin”, shkruan BBC.
Njëjtë ka reaguar edhe Reuters, ku gjithashtu u theksua se pavarësia e kosovës veçse është e njohur nga 100 vende dhe sjellja e tifozëve u quaj diskriminuese.
Kosova gjatë lojës nuk shënoi asnjë gol, ndërsa Rumania shënoi dy, sidoqoftë brenda dhe jashtë Kosovës, më tepër se loja në fokus ishte çështja e problemit politik dhe sjelljes provokuese nga ana e tifozëve./FolDrejt/