Haruki Murakami ka fuqinë të na tërheqë për të besuar se po dëgjojmë veten tonë teksa ai flet. Ai kërkon të ngrejë një urë mes imagjinatës, kujtimeve dhe botës reale, asaj që e kemi përballë çdo ditë. E mënjëherë sapo mbyll faqen e fundit vjen një pyetje që s’i shmangesh dot: “A duhet t’i besojmë asaj që shohim apo asaj që kemi menduar?”. E më pas: “Çfarë na bën të plotësuar në këtë jetë?”
Shkruan: Agim Baçi
Romani “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit” është një stil realist, edhe pse ndërtohet si një udhëtim i nëndheshëm i mendimeve tona, i kujtimeve tona. Haxhime, një personazh që nuk ka synim të na trondisë, vjen përmes një bote të largët, të mbetur në sytë e tij si e paarritshmja, ndërkohë që e tashmja ka pikëpyetjet e veta. Duke kujtuar atë që ka njohur dhe ka dashur fëmijë, Shimamoton – vajzën krenare dhe të zgjuar por që një këmbë e tërhiqte pakëz zvarrë-, Haxhime i Murakamit na fton të kujtojmë se, e shkuara është përditë me ty dhe se ti ke nevojë ta dish që është aty, e t’i japësh atë që meriton. Sidomos kur nuk je më vetëm ti me veten tënde, por je duke bashkëndarë përditshmërinë me një tjetër jetë, apo edhe me më shumë se sa një jetë, siç mund të jenë familja, gjaku yt.
“-Edhe unë doja të të shihja, – tha ajo. – Por ti nuk erdhe kurrë. E kujton këtë? Pasi fillove shkollën e mesme në një qytezë tjetër, unë të prita. Pse nuk erdhe? Kam qenë shumë e trishtuar. Mendoja se kishe zënë miq të rinj në vendin tënd të rid he kishe harruar gjithçka rreth meje.
Shimamotoja shtypi cigaren në tavëll. Kishte vënë llak të tejdukshëm. I dukeshin si punim dore I bërë me mjeshtri, me shkëlqim, por nuk binin në sy.
-Kisha frikë, j apse, – thashë.
-Frikë?- pyeti ajo. – Frikë nga çfarë? Nga unë?
-Jo. Jo nga ty. Frikë nga refuzimi. Isha ende fëmijë. Nuk e përfytyroja që tip o më prisje vërtet. Kasha tmerr se do më refuzoje. Se do të vija në shtëpinë tënde për të parë dhe do të të bezdisja. Prandaj nuk erdha më. Nëse do të lëndohesha, mendova se do të ishte më mirë të vazhdoja të jetoja me kujtimet e bukura të kohës kur ishim bashkë”. ( Haruki Murakami, “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit”, Përkthimi: Artan Kuçi, f.91)
Haruki Murakami arrin të shmangë gjithnjë banalen në rrëfimet e tij dhe plot elegancë të na tërheqë vetëm në atë ç’ka vlen të kujtohemi apo ëndërrojmë. Murakami risjell të gjitha kujtimet si një përrallë – ato që kemi imagjinuar dhe ato që na kanë ndodhur. Dhe për dashurinë, që është gjithnjë me kohën e vet brenda nesh, ai rikthen nevojën për t’i dhënë përgjigje vetes, se ç’vlen për ne për të ruajtur nga e shkuara.
Por a janë rikthimet pas një shpëtim i shpirtit? Vetë titulli i romanit, ku përmenden kufijtë, dielli dhe perëndimi, duket si një ftesë për të parë veten përtej një çasti të vetëm, që të mos mbetemi peng dëshpërimesh. Sepse ne nuk mund të jemi tjetërkush përveç asaj që na ka ndodhur, përveç takimit tonë me fatin.
Një rikthim i Haxhimes në përditshmërinë e tij me Jukikon dhe dy vajzat pasi Shimamoto e fëmijërisë zhduket, është si një zgjim për të të shkundur nga ajo që nuk munde dot të ishe. E shkuara është në përditshmërinë tonë, në lëkurën tonë. Por ajo vlen ashtu, shpeshherë si e pamundur, si një ëndërr, që vlen të shihet duket ditur se do të zgjohesh, se do të shohësh atë që ke pranë vetes duke i dhuruar dashuri.
“Jukiko mblodhi krahët në kraharor dhe më vështroi. – Edhe unë kisha ëndrra, e di? Por në një farë mënyre, u fashitën rrugës. Para se të të takoja. I vrava. I shtypa dhe i hodha tej. Si një organ i brendshëm që nuk të duhet mëq dhe që e shkul nga trupi. Nuk e di nëse kjo ishte diçka e drejtë. Por ishte e vetmja gjë që mund të bëja në atë kohë… Ndonjëherë shoh një ëndërr. Të njëjtën ëndërr herë pas here. Me dikë, i cili, tek mban diçka në të dyja duart, vjen tek unë e më thotë: ‘Ke harruar këtë’! Ka qenë lumturi për mua të jetoja me ty. Nuk më ka munguar asgjë dhe nuk kam pasur asnjë ankesë. Prapëseprapë, diçka më përndjek. Zgjohem në mes të natës e mbuluar nga djersët. Më përndjek ajo që kam hedhur tej. Ti kujton se je i vetmi që përndiqesh, por e ke gabim. Nuk je i vetmi që ka hedhur tej diçka, që ka humbur diçka. E kupton se ç’dua të them?” (Po aty, f. 203-204) /FolDrejt/