Kina njoftoi se nga e hëna përfaqësuesi i saj special do të vizitojë Ukrainën, Rusinë dhe vende të tjera evropiane për të diskutuar një “zgjidhje politike” të luftës në Ukrainë.
“Duke filluar nga 15 maji, ambasadori Li Hui, përfaqësuesi special i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike, do të shkojë në Ukrainë, Poloni, Francë, Gjermani dhe Rusi për të biseduar me secilën nga palët për një zgjidhje politike të krizës ukrainase”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Wang Wenbin.
Do të jetë diplomati më i lartë kinez që do të shkojë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit 2022.
Presidenti kinez Xi Jinping foli në telefon muajin e kaluar me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Me atë rast, Kina njoftoi se Li Hui do të drejtonte një delegacion për të vizituar Ukrainën dhe vendet e tjera, por data nuk ishte e specifikuar në atë kohë.
Li Hui është një ish-zëvendës ministër i Jashtëm i Kinës dhe një specialist në hapësirën ish-sovjetike. Ai ishte ambasador i Kinës në Rusi për 10 vjet, dhe për këtë arsye është në kontakt të rregullt me presidentin rus Vladimir Putin.
Kina pretendon se ka mbajtur gjithmonë një dialog me Ukrainën në nivel diplomatik dhe se ka një qëndrim neutral ndaj konfliktit, megjithëse ka lidhje të privilegjuara me Rusinë.
Në shkurt, Ministria e Punëve të Jashtme kineze publikoi qëndrimin e saj për krizën në Ukrainë në 12 pika, në të cilat bëri thirrje për respektimin e integritetit territorial të të gjitha vendeve, ku përfshihet edhe Ukraina, transmeton Fol Drejt.