Adem Ramadani ka thënë se fjala e tij e përgatitur për ditën e djeshme me rastin e Akademisë Përkujtimore për Masakrën e Reçakut, ka qenë e papërshtatshme për Qeverinë Kurti, andaj edhe i është pamundësuar që ta lexojë atë, shkruan Fol Drejt.
Në pamundësi të leximit të fjalimit të tij, Ramadani e ka publikuar atë në murin e vetë në Facebook.
Ky është teksti i plotë:
Të nderuar bashkëvendas,
Meqë m’u pamundësua fjala në Akademinë Përkujtimore, e cila u mbajt sot, përmes këtij postimi po ju përcjellë fjalimin e plotë që ka qenë i paraparë dhe i cili ishte i papërshtashëm për Qeverin Kurti:
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinjë!
Më lejoni që si përfaqësues i fshatit Reçak, si i zgjedhur i qytetarëve të Shtimes, si ish pjesëtar i UÇK-së dhe familjar i të vrarëve në këtë masakër, t’ju falenderoj të gjithëve që jeni prezent sot këtu dhe gjithë atyre qytetarëve të Kosovës, që kanë marrë udhën sot për në Reçak, që të bëheni pjesë e kujtimeve dhe dhimbjeve tona, të jeni bashkë me ne dhe familjarët tanë për të nderuar gjakun dhe sakrificën e banorëve të fshatit Reçak për liri. Falenderoj për prezencën, presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfaqësuesit diplomatik në Kosovë, kryetarin e Komunës, Qemajl Aliu (përshëndetet nëse është prezent, ambasadori i Amerikës në Kosovë, ish kryetarët e Komunave, Ismajli, Mujota, Rashiti, Jashari, ish komandantin e ZON, Shukri Buja, Isak Musliu), përfaqësuesit e Organizatave të Luftës së UÇK-së, por një përshëndetje dhe falenderim i sinqertë, i përhershëm dhe i veçantë, është për, qytetarin e nderit të Shtimes, mikun tonë të luftës dhe të paqes, ambasadorin Viliam Voker!
Familjarë të nderuar, me mendje dhe me zemër, si çdo janar tjetër edhe tani, pas 24 vitesh të kaluara, kujtojmë më të dashurit tanë të cilët pushojnë në vendin ku gjithmonë do të mbetet kujtesë e përhershme në histori, ndërsa krenari për ne që të mburremi me ta për qëllimin e flijimit dhe qëndresën heroike përballë kriminelëve të etur për shuarjen e familjeve tona në trojet stërgjyshore. 24 vite më parë, në këtë ditë, kriminelët e luftës të cilët sot janë të lirë, nuk e kursyen as nxënësin e shkollës fillore 13 vjeçar, as plakun 99 vjeçar, as nënën e moshuar që ende nuk është gjetur trupi i saj, nuk kurseu duke i vra as vajzat e motrat tona, vrau 3-4 anëtarë të së njëjtës familje dhe u vranë pse ishin shqiptarë, qëndronin në shtëpitë e tyre dhe donin të jetonin të lirë si çdo popull tjetër në botë
Sot kur nderojmë dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e Martirëve tanë dhe të mbijetuarve në Masakrën e Reçakut, më duhet të përmend edhe trimërinë e bijave dhe djemve tanë, luftën e sakrificën që është bërë nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që ishin në male dhe luftuan për t’i mbrojtur familjarët e tyre, andaj faleminderit dhe lavdi i qoftë të gjithëve në krye me komandant Ahmet Kaçikut. Lufta ishte në në mbrojtje të vendit, fëmijëve, grave, të moshuarve dhe në funksion te çlirimit të vendit nga robëria shekullore me perkrahjen masive te popullit.
Ne si banorë të fshatit Reçak, kërkojmë gjykimin e krimeve të vërteta, siç është rasti i Masakrës së Reçakut dhe masakrave tjera të bëra ndaj popullit shqiptar në Kosovë e jo gjykimin e atyre që luftuan në mbrojtje të popullit dhe demokracisë në Kosovë. Meqë po flasim për nxerrjen në pah të së vërtetës, ky është përvjetori i tretë i përkujtimit të Masakrës së Reçakut që sot në mesin tonë nuk janë prezent ata që kanë dhënë kontributin më të madh për liri dhe pavarësi: ish liderët, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Nasim Hajradinaj, Hysni Gucati dhe të tjerët. Ne shpresojmë dhe besojmë se kjo gjykatë do të jetë e drejtë dhe e pandikuar nga politika.
Reçaku është ende në pritje për dënimin e atyre që bënë krime ndaj njerëzve të pafajshëm dhe shpreson ende në të vërtetat që janë dëshmuar dhe vërtetuar nga ambasadori, Voker dhe për këtë e falenderoj që do të demantojë ata që tentojnë ta shtrembërojnë historinë dhe këtë do ta përforcojë me Librin që do të publikojë në të ardhmën, dëshminë se Reçaku ishte dhe mbetet Krim Kundër Njerëzimit në mënyrë që krimet brutale dhe gjenocidi ndaj popullit shqiptar të mos harrohen dhe të mos përsëriten askund më.
Lavdi Martirëve dhe Dëshmorëve të Kombit!