Ka përfunduar dita e parë e Samitit treditorë të Liderëve SHBA-Afrikë i cili mbahet në Washington ku marrin pjesë rreth 50 liderë afrikanë me ftesë të presidentit amerikan Joe Biden.
Administrata e Bidenit, e cila po përpiqet të ringjallë marrëdhëniet e saj me kontinentin e Afrikës, ku Kina, Rusia, Japonia dhe Türkiye kanë thelluar marrëdhëniet e tyre politike, ushtarake dhe tregtare në 20 vitet e fundit, pas një periudhe 8-vjeçare po mban Samitin e dytë të Liderëve SHBA-Afrikë, takimi i parë i të cilit u mbajt në vitin 2014 nga ish-presidenti Barack Obama, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dita e parë e samitit u kryesua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Në orët e mëngjesit Blinken mori pjesë në takimet për të rinjtë dhe shoqërinë civile të diasporës afrikane si dhe në takimin e nivelit të lartë për bashkëpunimin hapësinor mes SHBA-së dhe vendeve afrikane.
Nigeria dhe Ruanda partnerët e parë të programit Artemis
Nigeria dhe Ruanda u bënë vendet e para të Afrikës që nënshkruan marrëveshjet hapësinore me SHBA-në për të lehtësuar kthimin e njerëzve në Hënë deri në vitin 2025.
Marrëveshjet Artemis u nënshkruan nga ministri i Komunikimit dhe Ekonomisë Digjitale të Nigerisë, Isa Ali Ibrahim dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë Hapësinore të Ruandës, Francis Ngabo.
Të nënshkruara nga 23 vende që nga tetori i vitit 2020, marrëveshjet Artemis njihen si zgjerime të Marrëveshjes së Hapësirës së Jashtme të NASA-s të vitit 1967.
Sekretari i Shtetit, Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes, Austin gjatë ditës morën pjesë në Forumin e Paqes, Sigurisë dhe Qeverisjes.
Në sesion morën pjesë si folës edhe presidentët e Mozambikut, Nigerit dhe Somalisë.
Sekretarët amerikanë dhe liderët afrikanë trajtuan në sesion integrimin e sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë së qëndrueshme.
Nën margjinën e Samitit, Blinken dhe Austin u takuan me presidentin e Nigerit, Mohamed Bazoum, presidentin e Somalisë, Hassan Dheikh Mohamud dhe presidentin e Xhibutit, Ismail Omar Guelleh.
Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Shtetit lidhur me takimet thuhet se me tre vendet ku janë të vendosur trupa amerikane u diskutuan çështjet për sigurinë, ekonominë, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut.
Blinken u takua gjithashtu edhe me kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed./FolDrejt/