Protestës iu bashkuan qytetarë nga i gjithë vendi, teksa zona nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” e deri te Sheshi “Skënderbej” ishte e mbushur me protestues.
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, teksa e cilësoi si një armik.
Kryedemokrati i tha se nuk do t’ia falë votën dhe nuk do ta njohë pushtetin mbi votën e vjedhur.
Ndër të tjera, Berisha i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të mos ndëshkojë shqiptarët për keqqeverisjen e Ramës.
Kryedemokrati iu bashkua protestës pasi doli nga selia blu bashkë me deputetë dhe të rinj, dhe iu drejtuan në këmbë bulevardit para kryeministrisë.
Para se të mbërrinte në selinë blu, Berisha tha se protesta e sotme do të jetë e fuqishme.
Protesta kishte moton “Shqipëria në rrezik, mos thuaj ç’më duhet mua”, ndërsa Partia Demokratike ka kërkoi 2 orë leje në policinë e Tiranës.
Dyert e godinës së Kryeministrisë dhe të Kuvendit ishin të blinduara.
Mbi 1000 efektivë të policisë u angazhuan në terren mes të cilëve forca të rendit, të Ndërhyrjes së Shpejtë, repartit Shqiponja dhe punonjës të Gardës.
Ashtu si në protestat e tjera, kishte kordon policie para Kryeministrisë, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë qëndruan në mbikëqyrje të situatës dhe në gatishmëri për çdo rast.
Qe prej orës 16:00 nisën kufizimet në qarkullimin rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rruga “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht rruga “Zhan Dark”. /euronews.al