Bllokada e cila paralizoi pikën kufitare SHBA-Kanada në Coutts të Albertas përfundoi të martën mbrëma pas largimit të kamionëve dhe automjeteve të tjera nga zona.
Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë (CBSA) njoftoi se kufiri ishte përsëri i hapur për trafik pasi u mbyll nga kamionistët që nga 29 janari në shenjë proteste kundër vaksinimit të detyruar ndaj COVID-19 dhe kufizimeve më të gjera shëndetësore.
Pasi Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) arrestoi 13 persona dhe sekuestroi armë dhe municione dhe jelek antiplumb në vendkalim të hënën, një nga organizatorët e protestës, Marco Van Huigenbos, hoqi bllokadën të martën në mbrëmje.
“Objektivi ynë ishte të vijmë këtu në paqe. Të përcjellim mesazhin, ne duam të largohemi paqësisht”, u tha Huigenbos gazetarëve ndërsa filloi të largohej me një kolonë të gjatë kamionësh.
“Gëzohem kur shoh që pothuajse të gjithë protestuesit në pikën kufitare Coutts dhe pikat e kontrollit aty pranë kanë shkuar në shtëpi. Ky është një lajm i mrekullueshëm për qindra kamionistë që kalojnë kufirin çdo ditë”, shkroi në Twitter kryeministri i Albertës, Jason Kenney, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Autokolona u largua një ditë pasi kryeministri kanadez, Justin Trudeau, aktivizoi masat emergjente për herë të parë në historinë e vendit për t’i dhënë qeverisë së tij autorizime shtesë me qëllim të shuarjes së protestës antiqeveritare të organizuara nga shoferët e kamionëve.
Për më shumë se dy javë, qindra dhe shpesh mijëra protestues në kamionë dhe automjete të tjera kanë bllokuar rrugët e Ottawa-s, duke protestuar kundër vaksinimit të detyrueshëm të shoferëve të kamionëve dhe kufizimeve të tjera të COVID-19.