Ka përfunduar seanca, ku u mbajt debat parlamentar për politikën e jashtme. Meqë në sallën e Kuvendit nuk ishte e pranishme ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, opozita ka vendosur ta lëshojë sallën.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj e ka vlerësuar pushtetin me ‘njësh’ në politikë të jashtme.
“Është e paarsyeshme që ekzekutivi, kryeministri [Albin Kurti] dhe ministrja e Punëve të Jashtme [Donika Gërvalla-Schwarz] të largohen në këtë formë, pas pritjes njëvjeçare për të raportuar për diplomacinë dhe politikën e jashtme. Ne po e mbyllim këtë debat me një vlerësim në atë ditarin e paaftësisë me një ‘njësh’ sa kryet. Edhe nuk kemi çka të shtojmë tjetër ditën e sotme”.
Edhe Albana Bytyqi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka konfirmuar se deputetët e kësaj partie nuk qëndrojnë në sallën e Kuvendit, për shkak të mospranisë së kryediplomates Donika Gërvalla.
Në ndërkohë, deputetët e PDK-së, që ishte propozuese e këtij debati, janë larguar të parët nga salla e Kuvendit, derisa shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se largimi i ministres së Punëve të Jashtme nga ky debat është i papranueshëm dhe ofendues.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se për vazhdimin e kësaj seance do të vendoset në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.