Nga Les Nemethy, CEO Euro-Phoenix Financial Advisors Ltd., ish-bankier në Bankën Botërore
Ne po hyjmë në një epokë të re monetare, të karakterizuar nga inflacioni, normat reale negative të interesit dhe rishfaqja e aseteve “reale”, që me shumë gjasa do të jetë një periudhë afatgjatë.
Ndryshimi klimatik monetar (siç e ka quajtur autori dhe gazetari Ron Stoeferle), po ndodh shumë më shpejt se ndryshimi klimatik mjedisor.
Në dekadat e fundit, ka pasur një erë ekonomike jashtëzakonisht pozitive nga globalizimi. Ka pasur prodhim të bollshëm me kosto të ulët pune në Kinë, e cila u bë “fabrika e botës”, duke krijuar një njëanshmëri globale deflacioniste. Ky proces tani po zmbrapset, duke i hapur rrugën inflacionit global.
Në epokën pas Luftës së Dytë Botërore, përqindja e SHBA-së në PBB-në globale, importet, eksportet, etj., ka qenë në një rënie të vazhdueshme, ndërsa tregues të ngjashëm për Kinën janë rritur vazhdimisht, duke e tejkaluar SHBA-në në disa matje. Bota nuk është më njëpolare; Pax Americana nuk mund të merret më si e mirëqenë.
Globalizimi duket se është stepur, ndërsa bota po lëviz drejt blloqeve tregtare. Përmendim disa ngjarje të fundit që e reflektojnë këtë:
- dhjetëra kompani shumëkombëshe u tërhoqën kohët e fundit nga Rusia;
- tregtia midis Rusisë dhe Kinës po bëhet më e ngushtë;
- kërcënimet për sanksione po i nxisin kompanitë kineze (më së fundmi Sinopec) që t’i zhvendosin asetet e tyre nga Perëndimi;
- prodhuesit e çipave tani po investojnë shumë në prodhimin në SHBA;
- të gjithë po kërkojnë sigurinë e ushqimit dhe energjisë.
Siguria e zinxhirit të furnizimit dhe dyfishimi i zinxhirëve të furnizimit nxisin inflacionin. Ky riorganizim rrit tendencat për grumbullime rezervash, pengesat e ofertës, etj. Megjithëse nuk besoj se do të kemi hiperinflacion (që do të ndodhte nëse çmimet do të rriteshin me 50% në muaj), besoj se do të kemi superinflacion (çmimet do të rriten me 10% në vit).
Që kur Paul Volcker eliminoi inflacionin nga ekonomia amerikane me norma interesi 16% në fillim të viteve 1980, normat nominale të interesit kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 40 viteve të fundit. Ato arritën “kufirin zero” në shumicën e vendeve të zhvilluara – një pjesë e konsiderueshme e borxhit sovran global kishte norma nominale interesi zero për qind, ose më të ulëta.
Kjo prirje është përmbysur në muajt e fundit dhe normat nominale të interesit janë rritur paksa, por rritja e normave ka një kufi (duke pasur parasysh një borxh global prej 360 trilionë dollarësh). Inflacioni ka të ngjarë të mbetet shumë më i lartë se normat e interesit. Sipas mendimit tim, bonot vjetore të thesarit në normën 4-5%, mund të shkaktojnë recesion.
Inflacioni zyrtar mund të mbetet mbi 7% në BE dhe SHBA, duke rrënjosur normat negative të interesit për pjesën më të madhe të dekadës së ardhshme.
Taksimi i fshehur
Normat reale negative të interesit janë një formë e taksimit të fshehur dhe përfaqësojnë të vetmen mënyrë të qëndrueshme politikisht se si shumica e vendeve mund të reduktojnë borxhin real – duke shfrytëzuar inflacionin për ta shlyer atë. Kjo është një katastrofë për çdo kursimtar, zotërues bonosh, pensionist, etj. SHBA pati një periudhë të ngjashme të normave reale negative të interesit në dekadën pas Luftës së Dytë Botërore.
Në dekadat e fundit, ka pasur një prirje drejt financiarizimit (rritje shumë më e shpejtë e ekonomisë financiare sesa asaj reale). Për shembull: ka mbi 100 trilionë dollarë në “letra” ari (kontrata të ardhshme, ETF, etj.) dhe vetëm rreth 7 trilionë USD në ar të vërtetë.
Bankat e shufrave të arit dhe të tjera, kanë bërë pasuri nëpërmjet tregtimit të rezervave fraksionale të letrave të arit, por nëse do të kishte kërkesë të lartë për ar, nuk do të kishte mjaftueshëm ar të vërtetë për të mbështetur të gjithë letrat e arit.
Ndërsa sot aksionet globale vlerësohen në rreth 115 trilionë dollarë, lavjerrësi mund të anojë përsëri drejt situatës së krizës së vitit 1980, kur aksionet dhe ari ishin në nivele të krahasueshme (secili i kapitalizuar në rreth 2.5 trilion dollarë). Raporti i mallrave ndaj aksioneve është në nivelin më të ulët historik.
Mbajtësit e monedhave Fiat mund të humbasin besimin për shkak të shtypjes së parave (40% e dollarëve amerikanë janë “shtypur” vetëm gjatë dy viteve të fundit); ka tregues të hershëm të një prirjeje ku bankat qendrore dhe investitorët kërkojnë strehim në rezervat reale të vlerës (p.sh. ari dhe mallra të tjera).
Epoka e re monetare
Për ta përmbledhur, ne po hyjmë në një epokë të re monetare, të karakterizuar nga inflacioni, normat reale negative të interesit dhe rishfaqja e aseteve “reale”, që me shumë gjasa do të jetë një periudhë afatgjatë.
Mjerisht, po përhapet gjithnjë e më shumë pikëpamja se bankat qendrore po bëhen pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Ekonomisti Russell Napier beson se bankat qendrore janë të parëndësishme, sepse metoda kryesore e zgjerimit monetar është përmes garancive të qeverisë për huadhënien bankare.
Eksperti i tregjeve financiare, Mohammed El Erian, beson se Rezerva Federale, pas një sërë gabimesh, e ka humbur kontrollin e axhendës së inflacionit: për shkak të veprimit të vonuar për të përmbajtur inflacionin, tani Rezerva Federale duhet të aktivizojë frenat monetare, duke shkaktuar një recesion të madh, ose të lejojë që inflacioni të rritet përtej kontrollit. Shprehja proverbiale “ulje e butë” po bëhet gjithnjë e më e parealizueshme./Monitor