Mediat italiane raportojnë se gjendja shëndetësore e 58-vjeçarit Gianluca Vialli, dikur një futbollist i madh italian, është përkeqësuar dhe ai është shtruar në një spital të Londrës.
Pesë vite më parë, Vialli u diagnostikua me kancer në pankreas, pas së cilës mori dy raunde kimioterapie dhe për një kohë e përballoi shumë mirë sëmundjen. Në fund të fundit, gjatë vitit 2020, Vialli ishte në stafin profesional të kombëtares italiane dhe me të festoi titullin e kampionit të Europës.
Vialli luajti 59 ndeshje për kombëtaren italiane dhe shënoi gjithsej 16 gola. Ai e filloi karrierën e tij në Cremonese, klubi nga qyteti ku ai lindi, dhe më pas luajti me shumë sukses për Sampdoria, Juventus dhe në fund të karrierës së tij si lojtar në Chelsea.
Me Juventusin e fitoi Champions League në vitin 1996 dhe përveç Juventusit ishte kampion i Italisë edhe me Sampdorian, me të cilin luajti në finalen e Kupës së Kampionëve kundër Barcelonës. Pas karrierës së tij si lojtar ka punuar si trajner në Chelsea dhe Watford, ndërsa së fundmi ka qenë anëtar i stafit të trajnerit Roberto Mancini në kombëtaren italiane./FolDrejt/