U përkujtua Vaçe Zela e cila u nda nga jeta më 6 shkurt 2014 në Bazel të Zvicrës. Ajo mbetet një nga zërat më të njohur në historinë e këngës shqipe.
Prej vitesh ajo zotëroi skenën, si një këngëtare e papërsëritshme dhe e admirueshme për publikun. U rikthye në qytetin e lindjes, e derdhur në bronz, pranë qendrës kulturore, që mban emrin e saj. Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës me këngën “Fëmija i parë”.
Këngëtarja u lind në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.
Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio-Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë.
Këngëtarja numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ‘60 e deri në festivalin e fundit në RTSH, transmeton Fol Drejt.
Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj.
Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula dhe shumë emra të tjerë të njohur./FolDrejt/