Në Jeruzalem u dëgjuan sot sirenat paralajmëruese për sulme me raketa si dhe disa shpërthime, vetëm pak minuta pasi hyri në fuqi një ultimatum i grupit Hamas, i cili i kërkoi Izraelit të tërhiqte forcat nga dy vatra tensionesh në qytet.
Në përleshjet jashtë xhamisë al-Aqsa të Jeruzalemit, protestuesit palestinezë gjuajtën me gurë ndërsa policia izraelite përdori shashka dhe plumba gome.
Hamasi mori përgjegjësinë për një sulm me raketë. Përleshjet ndodhin ndërkohë që Izraeli shënoi përvjetorin e marrjes prej tij të disa pjesëve të qytetit në luftën arabo-izraelite të vitit 1967.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se të paktën 305 palestinezë u plagosën gjatë përleshjeve dhe 228 u dërguan në spital. Sipas njoftimit, disa nga palestinezët ishin në gjendje kritike ndërkohë që policia tha se 21 oficerë të saj u plagosën.
Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame, ka qenë një vatër kryesore dhune në Jeruzalem gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit. Përplasjet kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar.