Tre persona kanë humbur jetën pasi një varkë prej druri turistik u përmbys në qytetin verior polak të Gdansk.
Zyrtarët thanë se varka ka shumë të ngjarë të përmbyset për shkak të valëve të krijuara nga një rimorkiator aty pranë, shkruan BBC, transmeton Fol Drejt.
Katërmbëdhjetë persona, përfshirë dy anëtarë të ekuipazhit, ishin në bord kur Galar Gdański u përmbys në lumin Motlawa të shtunën.
Shërbimi shtetëror i zjarrfikësve tha se tre persona u nxorrën nga uji dhe u bënë përpjekje për t’i ringjallur.
Një 60-vjeçar u shpall i vdekur në vendngjarje dhe dy të tjerë vdiqën më pas në spital.
Një nga viktimat ishte një grua shtatzënë, raportojnë mediat lokale.
Më shumë se 20 zjarrfikës, njësi kërkim-shpëtimi dhe roje kufitare u përfshinë në operacionin e kërkim-shpëtimit.
Kryetarja e bashkisë së Gdanskut, Aleksandra Dulkiewicz, e përshkroi incidentin si një “tragjedi të madhe”.
Ajo tha se shkaqet e aksidentit të tmerrshëm do të shpjegohen “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar se të mbijetuarit ishin nën “kujdes profesional mjekësor dhe psikologjik”.
Varkat si ajo që u përmbys janë zakonisht rreth nëntë metra të gjata dhe mund të marrin deri në 12 pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit.
Ato janë kopje të një anijeje polake të njohur në shekullin e 18-të e përdorur për transportimin e mallrave poshtë lumit./FolDrejt/