Është rritur në 43 numri i personave që kanë humbur jetën në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin Aragua të Venezuelës.
Zëvendës presidentja Delcy Rodriguez në një deklaratë për televizionin shtetëror VTV njoftoi se është rritur në 43 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në qytetin Las Tejerias, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Në punimet e kryera për lidhjen e energjisë elektrike në rajon kanë siguruar rikuperim në 95 për qind. Po ashtu është shënuar përparim edhe në linjat telefonike që kanë pësuar dëmtim të rëndë”, tha Rodriguez duke shtuar se vazhdojnë pa ndërprerë punimet e kërkim-shpëtimit.
“Një zyrë presidenciale është ngritur në Las Tejerias që t’u shërbejë qytetarëve 24 orë”, theksoi Rodriguez e cila bëri të ditur se në rajon do të koordinohen shpërndarja e ushqimeve, siguria, shërbimet publike, pastrimi, shpëtimi dhe rindërtimi i rajonit.
Presidenti Nicolas Maduro i cili vizitoi brenda ditës rajonin e prekur, tërhoqi vëmendjen mbi madhësinë e tragjedisë. Ai deklaroi se numri i të vdekurve mund të arrijë në 100.
Maduro shpalli tre “ditë zie kombëtare” në shenjë solidariteti me të prekurit nga fatkeqësia./FolDrejt/